Tatimi mbi të ardhurat personale: baza tatimore e të ardhurave personale dhe dispozita të llogaritjes së llogaritjes së tatimit: Llogaritja e tatimit (ndryshimet ligjore pas Janar 2024)

Kreditimi i tatimit të huaj

Nëse gjatë një viti tatimor tatimpaguesi rezident i tatimit mbi të ardhurat personale realizon të ardhura tatimore nga burime jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, tatimit për t’u paguar nga ai tatimpagues për këto të ardhura duhet t’i zbritet shuma e tatimit të paguar në një vend të huaj mbi këto të ardhura. 

Shuma e tatimit të huaj të pagueshëm duhet të vërtetohet nga dokumentacioni specifik i lëshuar për këtë qëllim nga vend-i/et i/e huaj-a ku janë realizuar të ardhurat dhe sipas afateve dhe procedurave të përcaktuara në udhëzimin e ministrit përgjegjës për financat.

Shuma e zbritur e tatimit të huaj të paguar, e përcaktuar në pikën 1 të këtij neni, nuk mund të tejkalojë shumën e tatimit mbi të ardhurat personale që do të ishte e pagueshme për këto të ardhura, nëse ato do të ishin realizuar në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Kreditimi i tatimit të huaj duhet të llogaritet veçmas për secilin shtet, nëse të ardhurat realizohen nga burime të huaja në më shumë se një shtet.

Llogaritja e tatimit të pagueshëm mbi të ardhurat personale

Tatimi mbi të ardhurat personale i pagueshëm llogaritet duke zbatuar normat përkatëse të përcaktuara në nenin 24 të këtij ligji, për të ardhurat e tatueshme të personit dhe duke zbritur çdo:

a) kreditim tatimor të huaj në përputhje me nenin 25 të këtij ligji;

b) tatimin e mbajtur në burim në përputhje me kreun V të këtij ligji;

c) tatimin e listëpagesës të mbajtur nga agjenti i tatimit të listëpagesës gjatë vitit tatimor;

ç) parapagimet për tatimin mbi të ardhurat personale nga biznesi, të paguara gjatë vitit tatimor.

Llogaritja e tatimit të pagueshëm mbi të ardhurat personale nga punësimi dhe investimi bëhet veçmas nga llogaritja e tatimit të pagueshëm mbi të ardhurat personale nga biznesi.

Nëse diferenca e llogaritur në pikën 1 është negative, tatimpaguesi i të ardhurave personale mund të kërkojë tatimin e paguar më tepër dhe administrata tatimore do t’i kthejë atij shumën e mbipaguar jo më vonë se 60 ditë nga dorëzimi i kërkesës. Në rast se tatimpaguesi nuk kërkon kthimin e tatimit të paguar tepër mbi të ardhurat personale, kjo shumë konsiderohet pagesë në avancë për tatimin mbi të ardhurat personale të periudhës tatimore vijuese.

Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.